Njeriu që me hapa të shpejtë ecte rrugës Via Rippiete të Romës dhe depërtonte nëpër turmën e njerëzve nuk dukej se ishte i veçantë. Shtatshkurtër, me mjekër të rrallë e hundë paksa të shtrembër ai linte përshtypjen e një qengji të drobitur i cili futet në kope dhe aty e ndien veten mirë sepse askujt s'ia tërheq vëmendjen. Ai ecte i menduar, derisa pelerina e gjatë dhe e murrmë i mbështillej e i çmbështillej nëpër këmbë si valë e detit.
Sheshet e Romës ishin të këtilla, përplot me tregtarë, zanatçij, fisnikë e çirakë. Kohëve të fundit trazirat e tundnin gjithë Italinë dhe epiqendra e këtyre dridhjeve ishte Roma, prandaj këtu njerëzit ishin më të hutuar, më të frikësuar e më të nderë; nguteshin që sa më shpejt t'i kryenin punët e të prisnin si në ankth. Huadhënësit vraponin pas parave të tyre dhe s'u hiqeshin qafet borxhlijve, qiradhënësit kërkonin që pagesa prej tash të bëhej paraprakisht dhe çdo gjë që më parë i ishte lënë mëshirës e durimit tash e kishte grabitur babëzia dhe ngutesa. Papa Juli i II, ishte një papë më rigoroz e më parimor se paraardhësit e tij. Përveç ujit bekues të altarit të kishës, përveç fjalëve të shenjta të Biblës, ai dëshironte të kishte edhe dorën e fortë mbi besimtarët, sepse, siç duket besimtarët pas 14 shekujsh predikimi të librit të shenjtë nga kisha, jo vetëm që s'ishin kthyer për të mirë, pra, jo vetëm që s'ishin bërë besimtarë edhe më të devotshëm, por kishin filluar të shfaqnin dyshime e mospërfillje të paparë, jo aq në Librin e Shenjtë, sa në zëvendësin e Perëndisë në tokë, në trashëgimtarin e Birit të Zotit, në Papën. Herezia ishte përhapur si murtajë, dhe kjo mund të pikasej vetëm pasi e kaplonte plotësisht shpirtin mëkatar të njerëzve, tek atëherë mund ta shquaje se cili mund të ishte ai që i kishte bërë bisht rrugës së Zotit.
Njeriu me pelerinë mallkonte fatin e vet të mbrapshtë që vazhdimisht kishte punë me papët. Me pleq tekanjozë e, shpesh, të matufosur, pikërisht për shkakun se ky nuk ishte lundër që mund t'i duronte erërat më çoroditëse që mund të frynin nga tekat e tyre. Habitej se si, aq papë që i përcolli në botën e përtejme, asnjë që e trashëgoi tjetrin nuk i ngjau të parit as për fije floku; secili kishte shije tjetër për artin, mendime tjera për njerëzit, ëndrra tjera për botën... Nëse i pari predikonte paqen dhe dashurinë që duhej të mbretëronte ndërmjet njerëzve, i dyti menjëherë shpallte luftëra të shenjta e rraskapitëse, ndërsa i treti montonte në nyjat e hierarkisë kurthet e intrigave të cilat lenin pas kufomat me gojë të shtrembëruara e plot shumë dhe kupat e rrëkëllyera e të spërkatura me ngapak helm. Kështu, fatkeqësia e tij ishte se kardinalët bëheshin papë në pleqëri. Si të tillë shpesh ishin të çuditshëm në sjelljet e tyre, ashtu siç dinë të jenë pleqtë të shqetësuar që vdekjen e kanë shumë afër. Ata nuk arrinin ta sendërtonin asnjë plan të tyrin sepse jetonin pak, pasi bëheshin papë dhe vdisnin. Por ai hallin nuk e kishte këtu, sepse papëria, mëkatet dhe sevapet, ishin çështje e hierarkisë kishtare. Por e keqja ishte se ky duhej të bëhej skulptor i tekeve dhe dëshirave të papëve, ngaqë sapo njëri porosiste një vepër artistike, s'kalonte shumë kohë dhe vdiste, vinte në vend të tij një papë krejt i kundërt me këtë të parin dhe vinte edhe urdhri që të ndalej puna në veprën e pakryer e të nisej puna në një vepër të re. Kështu i mbeteshin veprat e pakryera. Apo dinte të ngjante edhe tjetra, siç i ngjau me papën e fundit, i cili kërkoi nga ai që ta lërë skulpturën dhe të pikturojë në muret e Kapelës Sikstine! Ky më nuk ishte porosi, por dënim!
Këto re të zeza të mendimeve iu tërhoqën kur para tij iu shfaq gjelbërimi dhe aroma e kopshtit të Medicive.
- Zotëri më ndiqni ju lutem, hirësia e tij ju pret! - i tha shërbëtori i cili e hapi derën e madhe të korridorit.
Kur hyri në sallonin e madh, në ballë e pa kryqin e madh. Në fund të sallonit qëndronte Giovani Medici, kardinal i Vatikanit, i veshur në të kuqe dhe i stolisur me një buzëqeshje të lehtë. Michelangelos ai iu duk më i trashë nga koha kur e kishte takuar për herë të fundit. Kushëriri i tij Giulioja, shoqëruesi i tij i pandashëm nuk kishte ndryshuar shumë.
* * *
Përballë tyre qëndronin edhe dy të huaj: njëri i trashë e i shkurtër, me një veshje që e bënte të dukej edhe më i plotë, dhe një tjetër i gjatë, fytyrëgdhendur, i hijshëm e serioz e me sy të ënjtur si i pagjumë. Për nga veshja dukej se ishte prift, por qëndrimi i tij i ngjante më tepër një oficeri të kalorisë.
- Oh, Michelangelo, i dashuri mik! Mirë se erdhe! - klithi Giovani Medici i kapluar nga një ndjenjë e mallëngjimit. Zëri i tij i njëtrajtshëm e i trashë ia kujtoi Michelangelos Lorenzo Medicin, të atin e Giovanit, atë burrin e shkëlqyer e të urtë që bëri aq shumë për Firencën dhe për artistët e saj.
- Mirë se ju gjej, shkëlqesia Juaj! Gëzohem që Ju shoh prapë shëndosh e mirë e të lumtur si ma do zemra të Jini përherë! - ia ktheu skulptori dhe posa provoi të përkulet. Giovani e kapi për krahu dhe e përqafoi. Michelangelo u prek thellë nga mirësjellja e tij. U ul në një ulëse aty pranë derisa Giovani e prezentoi:
- Mirë u bë që erdhe më herët sepse mund të të prezentoj me mysafirët e mi të nderuar. Ky është miku i familjes sonë, Michelangelo Buonarroti, skulptor dhe tash edhe piktor! Ndërsa këta - kardinali u kthye kah dy të huajt - janë N.N. pronar i shtypshkronjës dhe Marin Bardheci, prift dhe shkrimtar i veprës "Mbi jetën e princërve" dhe i veprës "Rrethimi i Shkodrës"...
Të dy palët u shikuan dhe u përshëndetën me lëvizje të kokës.
* * *
- Për shëndetin dhe jetën e gjatë të kardinalit tonë! - ngriti kupën e tij Jakoppo Scriba, një tregtar i pëlhurave që tash ishte bërë mbret i tregut të Romës. Të gjithë të pranishmit ngritën kupat. Në këndin e majtë të tavolinës rrinin Michelangelo dhe Marin Bardheci. Pranë prift Marinit skulptori fjorentinas dukej krejt i imët por këtë e kompensonte me zërin e trashë e depërtues.
- ...jo, jo, s'dëshiroj të më keqkuptoni, - vazhdonte bisedën Michelangelo - jo pse kam lindur aty, por Firenca më frymëzon. Ajo të bën artist...
- Në Firencë kam qenë para shtatë vjetësh... apo më gjatë, nuk më kujtohet. Me cilindo fjorentinas që kam biseduar secili doemos ma ka përmendur Lorenzo Medicin, të atin e Giovanit, - tha Marini.
- Imzot Lorenzo!... - e ndërpeu bashkëbiseduesi i tij - Ah, njeri i shkëlqyer. E kam njohur atë burrë të shenjtë, dhe, nëse doni tua them të vërtetën troç: nëse për të gjithë artistët e Firencës ia kanë borxhin më të madh dikujt atëherë ky është Lorenzo Medici!
- Atje e kam parë atë Davidin Tuaj. Është i thjeshtë dhe madhështor! Më ka mahnitur njohja e shkëlqyeshme e anatomisë së njeriut nga ana juaj! - tha Marini i habitur.
- Çështja e anatomisë... - ia ktheu Buonarroti, dhe e krruajti ballin duke e shikuar thellë në sy epirotin se mos e tradhtonte diç shikimi i tij i ngurtë, por u bind se ishte pyetje e sinqertë e vazhdoi - ...çështja e anatomisë është bisedë për ndonjë rast tjetër sepse e dini edhe vetë se sa lehtë këtu e shpallin njeriun sekretar të djallit!
- Po, po... Por këtu në Romë e ushtroni profesionin tuaj apo...
- Puna ime në Romë vajti si puna e dashit që shkoi t'i marrë brirët e i la edhe veshët: erdha me porosinë që të punoj skulptura e sosa në muret e Kapelës Sikstine ku po pikturoj! O Zot, kurrë s'kam dashur të pikturoj! Kurrë! Dëshiroj ta kryej sa më shpejt e t'i kthehem gurit e mermerit!
- Në Kapelën Sikstine e di që ka pasur ca piktura, e aty është, më duket, edhe piktura e famshme "Dorëzimi i çelësave" i Peruginos i cili më ka mahnitur sepse e ka një zgjidhje të mahnitshme nga ana e perspektivës, por edhe Boticelli dhe Pinturecchio janë aty më duket.
- Po, Perugino është vërtet i mirë, por tash nxënësi i tij, Raffaello Santi më duket se është edhe më i talentuar.
- Këtë nuk po e njoh.
- Është i ri dhe më duket se ka nisur punën në Pallatin e Vatikanit.
- Edhe Ju do ta bëni ndonjë pikturë në atë brez të murit?
- Jo. Tash unë pikturoj sipërfaqen ndërmjet shtyllave mbi ato piktura të vjetra dhe tërë tavanin!
- Tërë tavanin!? Po ai tavan është mjaft i lartë!
- Po, por i kam vënë skelat deri lart dhe puna tash për tash më shkon mjaft mirë. Por ju po më habisni sepse keni njohuri edhe për ne, shkarravitësit e mureve!
- Mos, ju lutem, mos e përçmoni punën Tuaj fisnike, Ju e bëni punën më të bindshme dhe më depërtuese për njerëzit, sepse shumica përtojnë të lexojnë libra e të ulen në biblioteka, por nuk ka njeri që nuk kënaqet me pikturën dhe skulpturën sepse ato, megjithatë, i mbizotërojnë shpejt mendjet e njerëzve. Me piktorë të shumtë kam pasur shoqëri në Maqedoni, sepse kam qenë mbikqyrës financiar i piktorëve që i punonin freskat në kishat tona kështuqë i kam ndjekur hap më hap dhe kam kaluar një pjesë të jetës me ta.
- Atëherë, pasi puna qëndroka kështu, vazhdoje këtë punë edhe këtu në Romë, e le të të shkojë jeta me piktorë... - tha Michelangeloja duke buzëqeshur ndërsa Marini mbet i hutuar nga fjalët e tij.
- Nuk po Ju kuptoj?
- Kam vënë si kusht që derisa të punoj në Kapelën Sikstine të mos hyjë askush, përveç Papës dhe Urbinos, shërbëtorit tim, por si duket më duhet t'i bie mohut. Nëse keni mirësinë mund të më vizitoni kur të doni në Kapelë.
- Oh, ju falem nderit! Ndihem shumë i nderuar!
- Po ju ç'bëni tash këtu në Romë? Me se merreni?
- Jam duke e përgatitur një jetëshkrim të princit të ndritur të epirotëve, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me vdekjen e të cilit fati ia ktheu shpinën Atdheut tim.
- Për Gjorgjo Kastriotan Skanderbigon kam dëgjuar shumë dhe jam mahnitur me trimëritë e këtij zemërluani maqedonas, - tha Michelangelo e vazhdoi - dhe përherë kam menduar se ky trim meriton një skulpturë të madhe të shkëlqyeshme midis Romës. Por sa herë e kam lodhur kokën kurrë s'kam arritur në një përfundim se si do të mund t'i përmblidhja të gjitha virtytet e këtij fatosi shqiptar e t'i paraqisja në një skulpturë. E kam ndjerë veten të vogël para tij. Dhe më duket se vështirë do ta bëj ndonjëherë. Mendoj se jam edhe xheloz, ngaqë artistët nga një vepër të tyren e ruajnë vetëm për vete dhe nuk e realizojnë kurrë, e kjo vepër për mua më duket se pikërisht do të jetë kjo për Skanderbigon ajo që s'do ta bëj kurrë e do ta ruaj për veten time.
Atë veprën tuaj për rrethimin e Shkodrës s'e kam lexuar, dhe Ju lus të më falni, por një mik imi më ka rrëfyer se s'ka fjetur netë të tëra pasi e ka lexuar atë. Thotë se ka qenë tragjedi e paparë por edhe trimëri e padëgjuar e kështjellarëve!...
Bisedën e tyre papritmas e ndërpreu hyrja e një grupi të gaztorëve dhe muzikantëve. Gumëzhima e njerëzve u pashit, por morën hov të qeshurat e zëshme.
* * *
- Sinjor Barlleci? Le të hyjë menjëherë!
- Unë e ndala sepse ju keni thënë se përveç Papës askush nuk guxon të hyjë në Kapelë. - tha Urbino, shërbëtori i Michelangelos.
- Tash vlen tjetra: përveç Papës dhe sinjor Barllecit, u kuptuam? - tha Michaelangelo dhe nisi të zbresë nga skelja.
- Siurdhëroni zotëri Buonarroti! - tha roja dhe u tërhoq kah dera. Së shpejti në sallë u duk trupi i gjatë e i drejtë eshtragjerë e i papërkulur nga mosha i Marin Bardhecit. Fytyra e tij serioze mori një pamje të hareshme kur u përkul dhe përqafua me Buonarrotin.
- Mirë se erdhe në pallatin tim! - tha Michelangelo duke hapur krahët.
- Mirë se ju gjej shkëlqesia juaj... - ia ktheu Marini duke u përkulur si para një mbreti. Salla jehoi nga të qeshurat e tyre.
- Ju e paskëshit mjaft mirë në krahasim me atë se si m'u ankuat atë natë! - fliste Bardheci duke shikuar me kureshtje muret ndërmjet trarëve të skelave.
- Le të ma shtrojnë me flori se brushën dhe ngjyrat nuk mund t'i dua. Jo! Uluni, uluni... - tha skulptori i pluhurosur e i zhyer i tëri me ngjyrë.
- Jo, jo, kurrsesi! Nuk dëshiroj t'jua ndërprej punën. Vetëm vazhdoni punën dhe shpresoj që prania ime nuk do t'ju bezdisë.
- Mua nuk më bezdisin njerëzit të cilët e njohin dhe e duan artin. Por më duhet doemos të qëndroj atje lart - tha ai dhe tregoi me gisht kah tavani.
- S'ka rëndësi, do të ngjitem edhe unë atje lart.
- Vërtet?! Harrova se ju keni qenë me piktorët dhe e dini rehatinë e tyre... Atëherë le të ngjitemi lart.
Që të dy, dalëngadalë, nëpër shkallët e improvizura, u ngjitën deri në skelën kur para tyre u gjend i vizatuar skica e profetit Isai. Kërkëllimat e shkallëve të improvizuara Marinit ia kujtuan Shkodrën dhe dhjetëra shkallët e këtilla prej nga gratë dhe më të rinjtë ngjiteshin dhe u ofronin luftëtarëve në ledhe shigjeta, gurë e katran të shkrirë. Klithmat, era e djersës, duart e përgjakura, grumbulli i kufomave iu vërtitën si vetëtimë nëpër mendje.
- Tërë jetën po e vras mendjen, - jehoi zëri i Michelangelos i cili e kthjelli dhe e shkëputi nga skenat e lemerishme që asnjëherë nuk po i shqiteshin nga mendja - me një të vetmen pyetje, dhe gjithmonë vetes ia them të njëjtën përgjigje: "Michelangelo, a ia qëllove mirë kur vendose të bëhesh skulptor?" Dhe i them vetes: "Po! Asgjë më të mençur s'ke bërë në jetë. Nuk e sheh?"
Dhe më duket se përherë jam i kënaqur, Ndonjëherë më kap tmerri kur mendoj se çfarë do të ndodhte me mua po të mos merresha me skulpturën. Do të isha një kufomë e gjallë që shëtitet rrugëve... Lugat! Lugat do të isha. Ja ky pikturim i shkretë më plaku për dhjetë vjet më shumë para kohe.
Jehona e zërit të tij e ndiqte veten nëpër këndet e kapelës si maçorri bishtin e tij.
- Gdhendja, gdhendja! Ja kjo është ajo e vërteta! - tha me kënaqësi.
- Po o mik, - foli Bardheci e vazhdoi - gdhendja sjell gdhendjen! Nuk e gdhend vetëm ti gurin, por edhe guri të gdhend ty. Është aty një ndeshje e çuditshme, një gërvishtje e ndërsjellë, një luftë e pambarim...
Michelangelo fërkoi dy tri herë brushën mbi draperinë e verdhë që ti rendiste më mirë mendimet e tha:
- Lufta është burimi i të gjitha gjërave apo jo? Pajtohesh me atë ho skoteinós-in, të errëtin e Greqisë. Por ky adhurim i tij për luftën mua më duket ngapak i tepruar. Kjo ndoshta ka ardhur nga shkaku se Grekët e lashtë s'kanë mundur ta ndiejnë hyjnoren në një të vetmen por e kanë shpërndarë në katër përbërës! E ato sipas tyre i bashkon lufta!
- Edhe te ne të krishterët janë tri përbërës në një: Shën Trininë. Dakord, numërohet si një por është unitet i të triave. Ato i bashkon dashuria. Për ne Trinia është shenjtëri, ndërsa për paganin Heraklit zjarri është kryesori sepse në të lufta është më e shprehur.
Skela e gjatë kërcëlloi pasi Michelangelo bëri disa hapa prapa e shikoi pozicionin e profetit Isai. Pastaj e la brushën, zuri vend pak më lart në një tra dhe si njeri i cili një kohë të gjatë e bart gurin në zemër dhe në një çast vendos ta heqë nga zemra tha:
- Miku im i mirë, unë do ta pranoja luftën vetëm e vetëm me një kusht. Mirë e thatë se unë bëj luftë me gurin... Këtë e thatë bukur. Por kjo është vetëm një lloj i luftës, është luftë për përsosmëri, për dëshmi se në kohë dhe në hapësirë të caktuar ka jetuar një qenie me emrin Michelangelo Buonarroti, luftë për bukurinë, luftë artistike apo si dreqin ta quaj... Këtë luftë e pranoj dhe do ta bëj pa kursyer asgjë! Por aty ku derdhet gjaku e mishi copëtohet prej aty ku derdhen idetë e guri copëtohet është dallim i madh. Në të parën gjërat shkatërrohen, në të dytën gjërat zbulohen, krijohen, përsosen - e përfitojnë harmoninë e tyre për të cilën kanë gjakuar që nga zanafilla. Merre me mend gurin i cili ka qenë në zemër të malit, shpërthen dhe del në sipërfaqe. Dikur qe një shkëmb si mija e miliona shkëmbij dhe unë, aty, e zbuloj të fshehur Davidin... Merre me mend edhe sa shkëmbij janë, edhe sa Davidë rrinë të fshehur nëpër të gjitha malet... O Zot! Vetëm duhet të zbulohen, t'u hiqet lëvozhga...
Marini e shikonte heshtas. E paramendonte ngapak të tillë - ëndërrimtar. Ndiente se ai dëshironte të vazhdonte të fliste prandaj vetë heshti.
- ... kur u rrethua Firenca dhe pritej të kriste lufta në ledhet e qytetit unë një këmbë e para ika në Romë. Fjorentinasit më quajtën tradhtar! - vazhdoi Michaelangeloja, dhe si duket u shfry pasi e tha atë që e sëmbonte në zemër. - Por si të vdisja unë! Si të lejoja që një shigjetë e rastësishme e ndonjë leshkoje të më vriste?! E di, ata mendonin se mua më dhimbsej jeta. Por, jo, or mik, jo. Mua jeta nuk më dhimbsej fare. Por si t'i lija pa i realizuar gjithë ato skulptura që i kisha në kokë? Si t'i lija jetimë të gjitha veprat e mia? Asgjë nuk është po t'i lësh një grumbull fëmijësh jetimë... Rriten disi, por kur i lë idetë jetimë kush i rrit ata? Askush! Ato mbarojnë përgjithmonë. Dhe njerëzit e zakonshëm kurrë nuk do të mund t'i kuptojnë dot artistët: atyre nuk u dhimbset jeta e tyre - u dhimbset jeta e veprave të tyre!
Michelangelo nuk e priti përgjigjen e Marinit, por e kapi brushën dhe u hodh prapë mbi profetin Isai. Ia zgjati hijen në llërën e dorës në të cilën e ishte mbështetur profeti. Gishtat e tij depërtonin ashpër jashtë mjekrës së thinjur. Edhe profeti ishte i menduar e i mrrolur dhe Michelangelos iu duk se ai pajtohej me çdo fjalë të tij.
- Nga vështrimi ynë guri përsoset kur e gdhendim, por nga vështrimi i gurit ai shkatërrohet apo jo - tha Bardheci për të mos e humbur fillin e muhabetit, por edhe duke i ikur pikës së bisedës ku e sillte me dhembje Buonarroti. Si duket ai ndihej ngapak i poshtëruar. Apo e kishte kuptuar se ishte frikacak dhe tash kishte dëshirë të rrinte e të bisedonte me një që kishte kaluar tmerret e luftës dhe të shihte ç'veçori kishte një qenie e tillë.
- Dakord, nëse e shpirtëzojmë gurin! Por, të kuptohemi, për mua e bukur është kur sendit ia heq të tepërtat siç bëhet në skulpturë e jo kur ia shton ato që i mungojnë siç bëjnë piktorët me brushë. Këtë ia pata thënë edhe Leonardo Da Vinçit në një rast, e ai më tallte sepse thoshte se skulptura është e ngushtë, tepër e rrudhur dhe se një punë të tillë mund ta bëjnë vetëm njerëzit pa imagjinatë. A s'po e dëshmoj se kjo është marri?
- Ju thatë se e ndani luftën në atë artistike dhe në luftën e marrë e të kotë...
- Po. Sepse a e dini pse bëhen luftërat? Ngaqë kështu u teket princave dhe të marrëve tjerë të cilët s'kanë asnjë ide, asnjë ëndërr. Luftojnë për të pushtuar toka të reja, pasuri më të begatshme, këto janë ëndrra për ta, ngase ata s'kanë shpirt të artistit dhe si pasojë, për mua. s'janë njerëz sepse në varr marrin vetëm një thes eshtrash dhe një grumbull dhè mbi to. Asgjë tjetër. Pa më thuaj kujt i mbeti Troja, pasuria e tij, mllefi dhe trimëria e Akilit, gjama dhe dhembja e Priamit? Kujt? Askujt. Që të gjithë janë bërë hi e pluhur. Fatkeqësia e kësaj bote është se më shumë lindin njerëz të marrë sesa të mençur. Vetëm kafshët dhe të tillët që bëjnë luftëra nuk kanë ide dhe ëndrra artistike, më kuptoni? A mund ta paramendoni njeriun pa ëndërr artistike? Ja ku po ju them: një qenie e tillë është më e rrezikshme se bisha.
- Edhe unë kam menduar një kohë të gjatë për këtë. Por sa herë që jam përpjekur t'i ndaj s'kam pasur kurrë sukses, sepse si duket lufta është, megjithatë, ecje përpara; është ndeshje me atë që s'do të ecë përpara... Në art kjo është ndeshje të papërsosmërisë ideore me përsosmërinë ideore, ndërsa lufta në shoqëri është aftësi për të jetuar dhe paaftësi për të ekzistuar fiset, racat, popujt... Ideja e përsosur e mund idenë e papërsosur, populli i aftë e mund popullin e paaftë. Lufta është, si duket, fat i përhershëm i gjinisë njerëzore prandaj s'po përpiqem ta dalloj...
- Më duket se kur po flisni kështu gjithmonë ju del përpara Shkodra juaj dhe lufta që bëtë atje?...
- Desha ta them edhe këtë, se ata që mbetën në Shkodër e ndër ta edhe unë, dhe ata që kanë mbetur në Firencë kur ju keni ikur janë vetëm njerëz të cilët s'kanë pasur ku dhe si të ikin, e nuk kanë ndenjur pse kanë qenë më trima apo qytetarë më të denjë të Firencës. Nuk ka njeri që nuk ia ka frikën luftës...
Por në Shkodër - pasi e zutë në gojë - nuk u bë luftë, jo! Në Shkodër u bë përmbytja! Treqindepesëdhjetë mijë barbarë kundër nesh pesëmijëve sa kishim mbetur në kështjellë. Dhe prapë s'mundën të na mposhtin me forcën e armës. Ndonjëherë mendoj se i madhi Zot na vë në sprova të rënda, në tundime për të cilat mendon se kurrë s'do të mund t'i bësh ballë. Ndoshta në luftë vihemi në sprovë që të shohim se ku qëndron ndryshimi midis natyrës hyjnore dhe asaj njerëzore. Kështu njerëzit e kuptojnë se kanë lindur edhe për ta parë vetveten në një pasqyre të tmerrshme sprovuese...
- Habitem me ju, maqedonasit!... Vërtet, habitem se sa tmerre i keni kaluar në Atdheun tuaj dhe prapë luftoni me mish e me shpirt për atë që të ktheheni sa më parë e të luftoni për t'u çliruar.
- Çdo qytetar, çdo bir i Atdheut, e ka për borxh që ta derdhë edhe pikën e fundit të gjakut për dheun ku ka lindur e ku është rritur. Kjo nuk është vetëm frazë poetike, por një e vërtetë e madhe të cilën njeriu herët apo vonë e kupton. Edhe krejt Romën po të ma jepnin, nuk do të mund ta shkëmbeja me një kaçubë të Shkodrës, sepse ajo që është e jotja mbetet e jotja. Sendi i huaj, me kalimin e kohës, bëhet gjithnjë më i huaj. Fatkeqësinë e vet njeriu nuk mund ta ndajë me askënd. Atë duhet ta mundë vetë që të bindet se e ka mundur.
- Kjo po më habit, dhe mendoj se këtu ndryshojmë mjaft: unë fjala vjen, jam fjorentinas, por si i tillë kam lindur krejt rastësisht. Do të mund të lindja diku tjetër, poende do të mund të lindja e të merrja pjesë si ushtar në palën kundërshtare apo jo? Prandaj s'ia vlen të luftohet... Megjithatë është mirë të shkohet sipas asaj të Krishtit: nëse dikush ta qëllon në faqen e majtë, ktheja të djathtën!
- Eh, miku im i mirë, - u shfry i mallëngjyer Marin Bardheci e vazhdoi - këtë që e thatë është një gjë shumë interesante. Në ato ditë të vështira, por madhështore për Shkodrën time, ky rrëfim dhe kjo thënie u hesht. Ditë të tëra, javë të tëra priftërijtë s'e hapnin dot këtë faqe. Jo se u kishte urdhëruar kush, jo se dikush u kishte thënë së paku si këshillë, jo! jo! As s'e lexonin në mesha, as e përmendnin në fjalime. As në mes vete kurrë asnjeri s'e hapte këtë bisedë. Ndërsa lufta vazhdonte çdo ditë e më rreptë; bombardimet e herëpashershme ia zunë vendin breshërive të tëra e të pandërprera. Kështjellarët luftonin si luaj. Dhe si në çdo fillim vdisnin ata më të mirët e më trimat. Pas sulmeve, kur barbarët lodheshin e pushonin, njerëzia mërmëritnin më vete lutjet. Mblidheshin në kishën e Shën Markut dhe përherë i bishtnonin kësaj fjalie. Dhe një natë ngjau ajo që e prisja me frikë kaq ditë. Një grua e tmerruar ngase dy fëmijët e saj ia kishte ndrydhur për vdekje një gjyle e barbarëve, iu afrua Atë Bartolomeut, ia puthi dorën e me sy të çakërdisur nga dhembja tha:
"O Atë, a s'është kjo, lufta jonë, e kotë?... Dy fëmijët e mi u ndrydhën... s'janë më... Por kjo tash nuk më dhemb aq shumë, sa më tmerron frika se të gjithë fëmijët tjerë, të gjithë ne do të na gjejë i njëjti fat... Imzot, a s'thotë Biri i Zotit tonë të lumnueshëm, Zoti Krisht, po të qëlloi dikush me shuplakë në faqen e majtë ti ktheja të djathtën? A s'do të ishte më mirë..." "O grua e mirë - i pati thënë Atë Bartolomeu i qetë dhe me një ndjenjë se shpëtonte nga një barrë e madhe që e kishte bartur tërë kohën, e unë u pata ngrirë në vend dhe nuk e pata ditur si do t'i përgjigjej. - Kthimi i faqes sonë të djathtë, zonjë e nderuar, është fikja, zhdukja jonë nga faqja e dheut. Po t'ia kthejmë edhe faqen e djathtë, ne nuk do ta njohim Jezu Krishtin, qoftë lavdëruar në qiell, për Zot e Shpëtimtar tonin... Sepse ky barbar nuk do të na qëllojë me shuplakë në faqe, por do të na kapërdijë krejt! Do të na kollofisë, bijë, do të na kollofisë...
Ajo nuk mundi të thotë asgjë. Eci.
E ndjeva se Atë Bartolomeu mbet megjithatë i mëdyshur. E dinte se nuk i tha asgjë. Gati asgjë.
Edhe në vazhduam të ecim nëpër rrugicat e mbushura me trarë të djegur e mure të rrënuara. Jashtë mureve të kështjellës dëgjoheshin klithma sulmi, si pallje, të akinxhijve. Kur hymë në kishë Atë Bartolomeu e ndiente veten disi fajtor që nuk mundi t'i përgjigjej deri në fund e si deshi asaj gruaje. U mbështet në tavolinë, më shikoi drejt në sy e pastaj më tha:
- Dëgjo biri im, nëse ti mbetesh gjallë e unë vdes, apo nëse ti vdes e unë mbetem gjallë, do t'u themi njerëzve kudo në botë, këdo që do ta takojmë, me këdo që të flasim, kujtdo që do t'i mbajmë meshë kudoqoftë se, në Shkodër tjetër qe Jezui.
Në Shkodër Jezui tha :"Sy për sy e dhëmb për dhëmbë!"...
Atje në kishën e Shën Markut e pashë të veshur me pancir, me mburojë e me shpatë. Vinte si gjyqtar i Ditës së Gjyqit, të na gjykojë.
(1988)
Agim MORINA
Agim MORINA
No comments:
Post a Comment