Besa — besë!
Kali u turr në errësirë. Njëherit u duk sikur u përpoq ta tërhiqte gjithë rrugën e pallatit pas vetes dhe me përpjekje u mundua ta shqyente pëlhurën e pluhurosur të territ. Gjymtyrë pluhuri vrapuan pas bishtit të kalit. Pas ca çastesh degët e shelgut të madh thithën gjithë trazimin e derdhur dhe errësira, si lëkurë bualli, u shtrua prapë e qetë. Pallati dehej nga dritat, nga melodia e orientit, nga cakërrima e dollive, e në anën tjetër si në zgjua bletësh, shkonin e vinin natë e ditë e ditë e natë lajmsjellësit nga të katër anët e botës, nga të trija kontinentet.
Kalorësi ngjitej e zdirgjej kodrave, brigjeve, grykave.
Prapa la detin ku lahej gjysmëhëna. Prapa mbetën xhamitë, hamamet, shatërvanet e kryeqytetit. Prapa mbeteshin krojet, dushkajat, gardhiqet, fshatrat, lehjet e qenve, urat, bujtinat, kafenetë. Prapa mbetej ajri i trazuar, degët e fjetura, zjarret e largëta, currat e thepisur. Shporet kafshonin pamëshirshëm sqetullat e kalit; era me duar të padukshme kapte kalorësin për pelerinën e zezë që si egërsirë e zënë përpëlitej në ajër. Goja e kalit shkumëzohej shpejt, djersët si milingona të lëngshme pushtonin trupin me plot muskuj, por kalorësi s’ndalej se s’ndalej...
Rrugës s’i gjendej fundi. Nata fshihte me mijëra rrugë e dhiare në gji. Vazhdimisht i dilnin para pyje, fusha, përrocka, shtëpi, gryka, tatëpjeta, kthesa, gropa, livadhe të reja, në këtë natë me gjysmëhënë. Jelet e kalit nga lagështia e djersëve, as që ngriheshin më valë-valë në erë, por ngjiteshin për qafën e djersitur dhe pikonin si gjethet pas shiut të madh. E nata dukej e amshueshme... Nata e bartte botën dhe, ndoshta, e sillte vërdallë kalorësin... Nata e djajve ka qenë dhe do të mbetet e tyre. Djajtë gjithmonë ëndërrojnë të kenë natë, ta kenë gjysmën jo më shumë. Dhe, ja, edhe Zotit ia kanë marrë gjysmën e ditës. Por djajtë janë dreqër dhe prapë do ta kërkojnë gjysmën e gjysmës, dhe prapë gjysmën e asaj gjysme,.. ngase dreqërit mbeten djaj, ata afrohen, kafshojnë, pushtojnë kështu: përmes gjysmave.
Derisa kalit, tashmë me këmbë të mpira, herë-herë i zbehej pamja dhe, ashtu turbullt, nga larg dukej ndonjë dritë si gacë e humbur, si dritë xeheje gjysmë të shkrirë, si yll i futur në gji të malit. Edhe kali sikur e dinte se i afrohej fundi vrapit të tij dhe s ’priste të shporohej. Shumë herë i pati rënë kësaj rruge ku duhej shkuar shpejt, e kurrë ngadalë, pa u ndalur askund dhe natën!
Gjysmëhëna u zhduk prapa shkëmbinjve të thepisur, e kalorësi u ndal para bujtinës aq shpejt sa kali u ngrit qirithi. Aty e priste një kalorës tjetër. Ky që tek arriti ia dorëzoi një trastëz në dorë e tha:
- Besa-besë!
Troku i kalit tjetër, si shigjetë e shkrehur, iu vërsul hapësirës së natës. Bufi nga maja e një lisi vështronte këtë vrap të çmendur të kalorësit që po zhdukej në kthesë. Fusha e gjatë sillte freski me valëvitjen e barit e me zhurmën e insekteve. Vetëm troku i rregullt që dalëngadalë afrohej e pastaj disi shpejt zhdukej në largësi duke e trazuar qetësinë e natës. Në ndonjë përroskë stërkalat e ujit fluturonin nëpër ajrin e freskët si të çmendura, e freskonin barkun e djersitur të kalit nga rënia e rëndë dhe e shpejtë e patkojve. Rruga dilte vazhdimisht përpara dhe provokonte me pambarimsinë e saj, herë e gjerë e herë e ngushtë, herë me gropa e herë e rrafshët, herë mbi kodër, herë në cep të malit, si një gjarpër shumë i madh, i mbytur e i hedhur pakujdesshëm mbi male, fusha e kodra.
Prapa mbeteshin kisha e herë xhami... Prapa mbeteshin lumenj me ujë të ftohtë, fushat me aromën e një jete të fjetur, pyje të rralla e vende të shkreta. Prapa mbeteshin fshatra, ulurima ujqish, bujtina. Prapa mbetej gjithçka, e përmbi gjendej gjysmëhëna. Shkuma pushtonte gojën e kalit të stërlodhur. Lodhja ia pinte fuqinë dhe prapë para një bujtine frenim i vrullshëm dhe:
- Besa-besë!
Kali tjetër, kalorësi tjetër, trasta e njëjtë, gjysmëhëna e njëjtë - dhe rruga! Prapa mbeteshin pyjet. malet, kodrat kishat dhe prapë kishat, famullitë, malet, prapë malet dhe ndoj livadh o rrafshinë. Nata e kapur për bishtin e kalit rrihej mbi gurë e shkrepa e gjysmëhëna krihej mbi bërraka e këneta me buzëqeshjen e një ujku të rrjepur .
- Besa-besë!
Trastëza fluturon nga dora në dorë... Bujtinat hapin sytë si njeriu i përgjumur, i zgjuar befas. Kur shohin ç'ndodh prapë mbutohen e heshtin...
-Besa-besë!
Jehojnë vetëm këto dy fjalë në takime. Askush s’di kush janë janë dhe prej nga vijnë, e as ku shkojnë. Tashmë rruga shpie vetëm nëpër male. Prapa mbeten bjeshkë, kanione, gremina, shpella... Maja malesh me kurore resh ose qeleshe dëbore... Male, male dhe vetëm male. Det me male si valë. Prapa mbeten vetëm bjeshkë, gryka të thella, pyje të dendura me druj të gjatë e shtigje të ngushta. Ulurimë ujqish...
-Besa-besë!
Si uji i turbullt, cepi i qiellit kthjellohet. Ndonjë këngë gjeli mbetet prapa. Prapa mbeten përshëndetjet me fshatarë, ushtarë, rojtarë... Dhe, ja Kruja!
-Besa...
-Besë!
Hapen dyert e mëdha të kështjellës për kalorësin e natës i cili me vrull futet brenda.
- Imzot, trasta e Stambollit. Urdhëroni!
Agim MORINA
(Botuar në revistën ‘Zëri’, 1993)
No comments:
Post a Comment