'VENDOSA QË TË SHKRUAJ...'
Historia asnjëherë nuk ka pasur mirëkuptim për ata që e kanë zbuluar në njërën apo në tjetrën mënyrë lakuriqësinë e saj. Pasi që historia asnjëherë s`është krijuar pa anët e ndyra të saj, edhe intelektuali asnjëherë s`ka ngurruar që këto t`i nxjerrë në shesh. Prandaj ka ndodhur, po ndodh dhe do të ndodhë që intelektuali të kalojë nëpër mijëra lloje të ferrit njerëzor, sepse nga njëra anë prej tij kërkohet që të dorëzohet, të mos shërbehet më me intelektin, të mos e njohë për të vetmin zot Të Vërtetën, e nga ana tjetër, intelektuali, përkundrazi, mbledh forca nga hapësirat më të panjohura mendore dhe i kundërvihet rrjedhës mbizotnuese; ai del para stampedos së egërsuar të antiintelektualëve, të mediokriteteve, të nëpunësve, të shkrolësve, të sahanlëpirësve, i vetëdijshëm se duhet t`i durojë mija e miliona thundra mbi trupin e tij të brishtë. Por fakti se, derisa për luzmën e njerëzve historia është bërë, për intelektualin historia tek mund të bëhet dhe kjo e mban atë e mban të gjallë, të fortë e të papërkulshëm.
Por fati i intelektualit si person bashkë me fatin e mendimeve të tij përherë ka qenë i vajtueshëm. Do të mund të quhej kasandrizëm. Sepse nëse Kasandrës, bijës së Prijamit, perënditë ia caktuan një fat të tillë që ta parashihte e ta parathoshte ardhmëninë me kusht që askush të mos i besonte, po ky fat i njëjtë i ka ndjekur dhe i ndjek edhe intelektualët. Prandaj ata lirisht mund të quhen bij shpirtërorë të Kasandrës së lashtë. Ata përafërisht e dinë se kah do të shkojë zhvillimi i një shoqërie, ku mund të çojnë ambiciet e sëmura karrieriste, si kanalizohet verbëria e aleancave klanore etj., megjithëse nuk e dinë se kah do t`ia mbajnë ata vetë. E dinë se personalisht do të pësojnë pikërisht nga ata të cilëve ua kanë tërhequr vërejtjen që të mos pësojnë. Në shikim të parë çdo veprim i tyre duket paradoksal, ndërsa në esencë ne marrim pjesë në një ndeshje të historisë që bëhet dhe të historisë që duhet të bëhet.
Natyrisht, në nënqiellin tonë ka pasur dhe ka keqkuptime edhe në përcaktimin se kush është intelektuali. Mbizotnojnë anët sociologjike si: intelektual është ai që ka lexuar shumë libra; ai që ka të kryer një apo më shumë fakultete, (poende, ky i fundit është intelektual edhe më i madh); intelektual është ai që ka shkruar një apo më shumë libra, dhe në këtë vijë shkrimtar-intelektual ka pasur dhe ka edhe sot më së shumti keqkuptime, apo thjesht, intelektual është ai që di të shkruajë apo ai që është në një pozicion të lartë shoqëror. Por, fatbardhësisht, intelektual mund të jetë edhe njeriu i cili s`ka kryer kurrfarë fakulteti, edhe njeriu i cili s`ka shkruar asnjë libër të vetëm, edhe njeriu i cili s`ka kurrfarë pozicioni të rëndësishëm shoqëror, poende, intelektual mund të jetë edhe njeriu i cili nuk di të shkruajë fare. Dhe ja, kushtet për t`u bërë intelektual në dukje janë aq të lehta, ndërsa, megjithatë, ka aq pak intelektualë! Pse?
Është fakt i pamohueshëm se intelektuali nuk don t`i shfrytëzojë rrethanat shoqërore, ai synon t`i kuptimsojë ato. Në këtë synim ai përherë ndeshet me pengesat dhe pëson. Duke pësuar në vend që të dobësohet ai forcohet; në vend që të verbohet ai sheh edhe më qartë; në vend që t`i vagëllohet atij i kthjellohet gjykimi. Dhe portretin më të mirë të intelektualit e jep frazeologjia shqipe: ai është e zeza e vetes! Po, është e zeza e vetes, por është e bardha e shoqërisë, e atyre që e rrethojnë dhe e bardha e Të Vërtetës. "Vendosa që ta shkruaj këtë "promemorie" dhe t`ua nis pa humbur kohë." thotë Kasëm Trebeshina në "Promemorien" e tij. "Pa humbur kohë"? Kohën e kujt? Pa e humbur kohën e tij personale? Jo. Por, kohën e një kolektiviteti. Kohën e pakthyeshme të një kombi, i cili do të bredhë Detit të Marrëzisë mbi Trapin e Meduzës. Askush nuk e dinte se klepsidra e theqafjes shqiptare ishte kthyer kaq mbrapsht, dhe në vend të ecjes përpara ajo shënonte prapavajtjen. Që në çastet e para, në një vendnumrim të parë, K. Trebeshina e niste promemorjen "pa humbur kohë". Sa kohë do të humbë! Tash na kap tmerri kur e dimë këtë. Si ta paramendojmë pozitën e atij që këtë e ka ditur dhe e ka thënë që më 5 tetor 1953?
"MENDOJ SE DUHET TË MENDOHENI"
Të nisur nga vetë emërtimi intelekt-ual, del se intelektuali është njeriu i cili shërbëhet me intelektin, me arsyen; gjithsesi, me intelektin, me arsyen e cila do t`i shërbejë me çdo kusht Të Vërtetës. Si t`i shërbejë Të Vërtetës?
"Ngjarjet e fundit më kanë bërë TË MENDOHEM SERIOZISHT..." thotë qysh në rreshtin e parë të "Promemories" së tij, Kasëm Trebeshina, e vazhdon: "... sa për faktin që ndodhën, aq edhe për shkaqet që bënë të ndodhnin. MENDOJ SE EDHE JU DUHET TË MENDOHENI (...)!" Ja fjala e parë dhe e fundit e çdo intelektuali. Ai nuk imponon asnjë mendim, asnjë gjykim. Ai kërkon shqyrtim duke menduar seriozisht. Le ta kuptojmë atë togun "të mendohem seriozisht" si: t`i shqyrtojmë, t`i analizojmë, t`i hulumtojmë mendisht të gjitha shkaqet dhe pasojat e mundshme të veprimeve tona, le të gjykojmë me arsye e sa më drejt nga interesa të përgjithshme, në këtë rast, kombëtare, e jo nga interesat e ngushta personale, familjare apo klanore. Dhe nëpër tërë "Promemorien" shtrihet një pasqyrë me korniza të arta barokiane, pasqyra e Luigjit të Katërmbëdhjetë. (Fatkeqësisht, njeriu të cilit iu dërgua kjo pasqyre historike, në vend që të trishtohej nga buzëqeshja satanike e Luigjit të Katërmbëdhjetë, ai u magjeps e u mrekullua nga pamunia matanë!) I gjetur si fakt nga historia, dhe i ofruar si fakt i ardhmënisë, fati i Lugjit të Katërmbëdhjetë dhe i Francës së tij, iu transplantua Shqipërisë. Pra, intelektuali ka aftësinë që historinë ta shohë të kuptimsuar, mbarë apo mbrapsht; t`i vëzhgojë nyjat dhe prirjet e shkuara e të tashme dhe kështu t`i paramendojë nyjat dhe prirjet e ardhshme. Ai beson verbërisht se kjo gjë është e mundshme të bëhet por për këtë, mendon ai, vetëm duhet TË MENDOHET SERIOZISHT.
Kjo është aftësia e intelektualit që nga fragmentet, nga pjesët e dukurive ta krijojë pamuninë e tërësisë. Atij nuk i duhet të bëjë mija analiza të lodhshme statistikore, të llogarisë mija të dhëna, të kapë mija shfaqje të dukurive. Atij i mjaftojnë një apo dy fakte, për t`i parashikuar të tëra pasojat e një dukurie apo të një procesi. Atij nuk i duhet deti i tërë për të konkluduar se formula e ujit është H2O, por i mjafton vetëm një pikë ujë. Ai nuk pret shkatërrimin për të thënë se, ja, ky është shkatërrimi, por përkundrazi, ai thotë, i nisur nga një shfaqje e një dukurie, ndoshta krejt të vogël e të pavërejtshme për luzmën e njerëzve të zakonshëm, për të parë se ashtu do të shkohet drejt përmbytjes shoqërore. Dhe, së fundi, ajo që e kurorëzon intelektualin si të tillë, pasi i sheh shkaqet dhe pasojat, pasi e thotë se mendon se "edhe ju duhet të mendoheni", ai me ASNJË KUSHT nuk pranon që t'i nënshtrohet luzmës, mizërisë, grigjës apo stampedos. Asnjë pushtet s`e përkul dot, asnjë forcë, asnjë pasuri, asnjë pozitë shoqërore, asnjë rehati personale nuk ia mbush mendjen se duhet ta tradhtojë, ta lërë menjanë, qoftë edhe për një çast të vetëm, intelektin, arsyen, atë që ai e ka MENDUAR SERIOZISHT! Sepse, të mendosh seriozisht, do të thotë të krijosh parafytyrimin e një ardhmënie vijanoze (paralele): po të bëhet njëra, s`do të bëhet tjetra.
INTELEKTUALI DHE ANTIINTELEKTUALI
Shumë interesant, gjatë gjithë historisë, ka qenë raporti i intelektualit dhe i pushtetit. Pushtetarët asnjëherë s`e kanë kuptuar se pushteti i Të Vëretëtës, është pushteti absolut të cilit i nënshtrohet një intelektual. Kurrë s`e kanë kuptuar se asnjë pozitë e lakmueshme shoqërore, nuk mundet as të krahasohet me ndriçimin e një rrezeje të Të Vërtetës. Gjakimi i intelektualit për Të Vërtetën vetvetiu ia krijon largësinë, atë unazën distancuese saturniane që e ndan atë nga grigja dhe puthadorët, nga mediokritetet dhe antiintelektualët. Dhe shtrohet pyetja se pse pushtetarët kurrë nuk e kanë kuptuar dot intelektualin. Ngaqë, ata, pra pushtetarët, VEPROJNË PRAKTIKISHT, ndërsa intelektuali MENDON SERIOZISHT. Këto dy mënyra të manifestimit të aftësive të tyre kanë bërë që gjatë gjithë historisë intelektuali dhe pushteti të pinrrohen, të takohen e të mos njihen apo të ballafaqohen e të konfrontohen. Kështu mund të paramendohet beteja që s`mund të merret me mend, por e cila ka ngjarë përherë: në njërën anë intelektuali me të menduarit e tij serioz, e në anën tjetër pushteti me hierarkinë e nëpunësve, puthadorëve e të papagaj-apologjetëve dhe me grigjën pas vetes duke vepruar praktikisht. Sa më diktatorial që është bërë një pushtet, aq më pak MENDIME SERIOZE janë shfaqur ose së paku,janë marrë në konsideratë, dhe aq më shumë krrokama apologjetësh janë dëgjuar, aq më shumë kulmak-shkrolës i kanë nxirrë letrat. Pushteti VEPRON PRAKTIKISHT sepse për këtë e shtyt instikti, ndërsa intelektuali MENDON SERIOZISHT sepse për këtë e shtyt arsyeja. Prandaj antiintelektualizmi shfaqet si veprim me instikt, dhe ky instikt ka ndodhë që në fusha të caktuara të vlerësohet, por për Të Vërtetën, për anën intelektuale, edhe kjo mbetet po aq e ulët dhe po aq e papranueshme si veprim. Antiintelektuali si i tillë nuk ka pikëpamje as botëkuptim të vet për botën, pos aftësinë që sot të kapet për njërin e nesër për tjetrin litar ideologjik, ai e kërkon mecenën e tij dhe nëse ky nuk e gjen mecenën, mecena e gjen shumë shpejt antiintelektualin. Sepse nuk ka thënë kot një filozof: "Kush kërkon të kërcejë sipas muzikës së dikujt tjetër shumë shpejt do ta gjejë të zotin".
Ai shkruan, për shembull, kështu:
"Ndryshe nga Fishta, Ernest Koliqi arriti ta shihte me sy dramën e vet si ndjekës i fashistëve. Pas kapitullimit të tyre ai iku bashkë me ta në Itali, ku vazhdoi të shkruajë duke i shtuar veprës së tij një epilog të trishtueshëm (nën. A.M.). Në një nga veprat e tij, dramën "Rrënjët lëvizin", botuar në Romë më 1967, veprimi i së cilës ndodhte në të ardhmen diku në mes të viteve `70, ai parashikonte përmbysjen e rendit komunist në Shqipëri, rihapjen e kishave dhe udhëtimin atje të vajzës së tij si turiste, fill pas vdekjes së të atit dhe pikërisht ditën kur kambanat e kishave, pas heshtjes tepër të gjatë, po gjëmonin përsëri në Shkodër. Nga të dy parashikimet u krye vetëm njëri: vdekja e tij, që ndodhi vërtet në vitet tridhjetë." (I. Kadare, "Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe", 1989). Këta rreshta janë shkruar dy vjet para rënies përfundimtare të rusokomunizmit në Shqipëri (1988). Dikush ishte në gjendje që qysh më 1943, siç ishte rasti i Rexhep Mitrovicës ta shihte çfarë mund të ndodhë po të ndodhë ajo që ndodhi, dikush më 1953 parashihte deri në imtësi të habitshme ardhmëninë e rusokomunizmit, një tjetër, si E. Koliqi, këtë e bënte më 1967, por një i katërt, as dy vjet më parë s`ishte në gjendje të shihte dhe të vetëdijësohej për verbërinë e vet. Pos kësaj, epilogun e dramës së Koliqit të mërguar, e quan "të trishtueshëm". Pse "i trishtueshëm"? Sepse, bija e kolegut të të tij të pendës do të kthehej në Shqipëri si turiste, do të hapeshin kishat dhe "do të përmbysej rendi komunist"! Gati i entuziasmuar nga gëzimi ai thërret: "Nga të dy parashikimet u krye vetëm njëri: vdekja e tij, që ndodhi vërtet në vitet shtatëdhjetë." Merrni me mend, dy parashikimet tjera të zeza nuk ndodhën: të lumit ne! Shpirtngushtësia e një antiintelektuali s`ka fund: gëzohet pse vdiq kolegu i tij, pse s`u përmbys komunizmi, dhe pse s`u hapën dot kishat. Gëzimi i tij s`do të zgjasë më shumë se dy vjet. Fatbardhësisht. Pas këtyre dy vjetëve, në bazë të gëzimit dhe të entuziasmit njeriu nuk do ta mund ta njohë e ta identifikojë dot po këtë shkrimtar. Ai do të fillojë të dëshmojë si ata që P.P.Peci i kishte takuar në oborrin e gjyqit dhe i kishte pyetur:
- Çfarë po bëni këtu,o njerëz?
- Po dëshmojmë.
- Kujt?
- Kujt i duhet.
Edhe kësaj here u dëshmua se instikti i një shkrimtari nuk mund t`i qëndrojë dot të menduarit serioz të një intelektuali.
FJALA FATALE "MEGJITHATË..."
Është fakt që intelektuali rrallë reagon për shkak se i bëhen padrejtësi personalisht atij, ndërsa antiintelektuali e djeg jorganin për një plesht që e ka shqetësuar atë. Intelektuali flet kur e sheh se puna po bëhet rungajë dhe po e rrezikon tërë atë mizëri që e rrethon dhe e shikon pak me habi pak me përçmim. Intelektuali nuk e njeh hakmarrjen sepse ai shikon vetëm përpara, antiintelektuali jo vetëm që u hakmerret njerëzve konkretë, miqve e kolegëve të tij të deridjeshëm, por ai u hakmerret edhe figurave historike duke ua imagjinuar fajin, njerëzve të vdekun të cilët s'mund ta kundërshtojnë më as t'ia çjerrin maskën e dhelpnakut. Fjala vjen, për Kadarenë fajtor është Koliqi "reaksionar" i cili kishte "epilog të trishtueshëm", "përmbysjen e rendit komunist" dhe "hapjen e kishave", por dy vjet më vonë fajtor për të gjitha që kanë ndodhur në Shqipëri po edhe për vetë instalimin e "diktaturës komuniste" fajtor është Marx-i, i cili s`e njihte "mëshirën", të cilën krishterizmi e paskësh parim kryesor ("Nga njëri dhjetor në tjetrin", 1990). Asnjë mendje e shëndoshë nuk mund t`i ndjekë përmbysjet e tilla mendore.
Prandaj Kasëm Trebeshina reagon kur "...nuk është fjala për një ose dy shkrimtarë, për mua ose për ndonjë tjetër" por kur pa e kuptuar "po ndërtoni një letërsi mesjetare" me Mjeshtrin e Madh në krye. "Arti," vazhdon ai "duke qenë i një natyre specifike, nuk mund të përfshihet në format organizative të partisë". Ja, intelektuali K. Trebeshina, pa marrë leje nga askush, as nga vetë Arti, pa u konsultuar me askë, vihet në mbrojtje të artit dhe të artistëve të rrezikuar duke mos i llogaritur pasojat për veten e tij. Intelektuali është i paparashikueshëm në veprime. Kur cenohet E Vërteta, ai shkridhet nga letrat dhe heshtja që e kanë mbuluar deri në atë kohë dhe i gjuan rrufetë e tij mendimore.
Ai që në shekullin e njëzetë krijon një letërsi mesjetare, ai që partinë e shndërron në kazermë ushtarake, rrezikon që në të ardhmen këta në kazermë ta asgjësojnë njëri-tjetrin, e parthakon pamuninë e tij Trebeshina. Po qortohej dhe po shkruhej ardhmënia. Ditët që do të vijnë të gjitha këto do t`i sjellin me vete si lumi i rrëmbyer.
"MEGJITHATË, "thotë K. Trebeshina kah fundi i "Promemorjes së tij, një "megjithatë" fatale për shqiptarët e pesë dekadave të ardhshme, një fjalë e vetme që rrallë herë mund të ketë pasur një peshë kaq të rëndë e kaq të kobshme "UNË MENDOJ SE SHKATËRRIMI MË I MADH DO TË NDODHË NË BOTËN SHPIRTËRORE SHQIPTARE". Trebeshina ka frikë edhe për më keq se kaq: "DHE KY NUK DO TË JETË VEÇSE FILLIMI". Kjo është një nga të Vërtetat më të mëdha e më të dhembshme që i janë shqiptuar ndonjëherë historisë shqiptare. Edhe kur kanë dalë nga robëria romake, edhe kur i kanë thyer prangat e robërisë bizantine, edhe më 1912-tën pas çlirimit nga robëria pesëshekullore osmane, as më 1945-tën, shqiptarët nuk kanë qenë më të shkatërruar shpirtërisht. Sepse lufta me vetveten, vërtet, është më shkatërrimtarja. Shqiptarët vërtet arritën në një "monarki pa kuptim në realitetin historik të shekullit të njëzetë".
Dhe në fund, foljen "mendoj" të cilën e përdor kaq shpesh, për t`ia bërë me dije edhe atij që ia dërgon "Promemorien" se duhet të mendojë, e përdor për herë të fundit: "Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe kjo është arsyeja që po ua drejtoj këtë "Promemorie" të shkruar në mënyrë të ngutshme".
Kasëm Trebeshina kot u ngut ta shkruante e ta niste "Promemorien". Duke u frikësuar se mos vallë do të ndodhnin ato që i parashikonte se do të ndodhnin; e ato ndodhën çuditërisht edhe në rendin të cilin i kishte radhitur në letër, ndoshta pa qenë i sigurtë qind për qind as vetë se e kishte shkruar fatin e ardhshëm pesëdhjetëvjeçar të shqiptarëve. Fatshkruesit dhe fatthënësit e tillë vërtet e meritojnë të quhen intelektualë, por në kohën kur e shkroi Trebeshina i vetmi shpërblim për këtë ishte - burgu. Por ndodhi një gjë e çuditshme, Kasëm Trebeshina u fut në burgun fizik por gjeti lirinë e tij shpirtërore, të cilën kurrë askush, asnjë perëndi as asnjë pushtet s`kishte mundur t`ia merrte dot ndonjë intelektuali, ndërsa i la në burgun e madh shpirtror, pse jo edhe fizik, kundërshtarët e tij: antiintelektualët, puthadorët dhe papagaj-apologjetët e shikonin Trebeshinën prapa grilave të dukshme ku e kishin futur atë, nga grilat e padukshme ku e kishin futur veten.
Agim MORINA,
‘Rilindja’, Tiranë, 1996
No comments:
Post a Comment